I themeluar në vitin 2003, “Mirësia” është një fondacion bamirës që punon me pasion për të lehtësuar vështirësitë e atyre segmenteve të shoqërisë që gjenden në pozita të paprivilegjuara, duke u përpjekur t’u krijojë kushtet e nevojshme për një jetë dinjitoze, nëpërmjet mbulimit të nevojave materiale, sociale dhe edukative, si dhe krijimit të hapësirave për zhvillim e përparim. Ne ëndërrojmë një shoqëri të ekuilibruar dhe në harmoni, me familje të shëndoshë, ku të gjithë gëzojnë mundësi të barabarta, pavarësisht sfidave me të cilat jeta i ka përballur.

 

Vizioni

Një shoqëri e përgjegjshme, altruiste dhe solidare, ku shtresat më të brishta të shoqërisë, me fokus të veçantë tek jetimët, jetojnë me dinjitet, në kushte të barabarta edukimi dhe zhvillimi, përtej çdo paragjykimi.

 

Misioni

Misioni i fondacionit “Mirësia” është t’u gjendet pranë përmes mbështetjes materiale, por jo vetëm, fëmijëve, individëve dhe familjeve në vështirësi dhe pamundësi ekonomike që të përmbushin nevojat e tyre bazike, si dhe të zgjerojë mundësitë e tyre për zhvillim dhe përparim.

Për materializimin e vizionit të saj “Mirësia” ka ndërmarrë një sërë projektesh me karakter social dhe edukativ, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe edukimit të fëmijëve me vlerat më të larta njerëzore, si element kyç për progresin e shoqërisë.

Në veprimtarinë e saj, “Mirësia” udhëhiqet nga norma dhe parime universale etike, të mishëruara në një sërë dokumentesh ndërkombëtare dhe të pasqyruara në legjislacionin shqiptar.

 

Qëllimet e Fondacionit “Mirësia”

Për të materializuar filozofinë e fondacionit “Mirësia”, të ndërthurur tek vizioni dhe misioni jonë, vlerësojmë si thelbësore përmbushjen e këtyre qëllimeve:

  1. Përkrahja materiale, sociale dhe edukative për jetimët, me fokus të veçantë tek ata jetimë që kanë humbur prindërit gjatë luftërave, ose si rrjedhojë e fatkeqësive natyrore.
  2. Përkrahja e familjeve në vështirësi ekonomike, që e kanë të pamundur të sigurojnë nevojat bazike, duke i dhënë përparësi familjeve që nuk kanë kryefamiljarin.
  3. Ofrimi i ndihmës, në forma dhe mënyra të ndryshme, për segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, në ato fusha ku kjo ndihmë është më e nevojshme.
  4. Ndërtimi i objekteve të kultit, për të kontribuar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare tradicionale të shoqërisë shqiptare.

 

Ne ndihemi modestisht krenarë për faktin se që prej vitit 2003 kemi ofruar kontributin tonë social, edukativ, por edhe material, për mijëra familje në nevojë, që kemi lehtësuar jetën e shumë komuniteteve të largëta dhe të lëna në harresë, duke  u mundësuar shërbime jetike dhe duke u lehtësuar integrimin me pjesët e tjera të shoqërisë.

Në çdo projekt apo nismë që kemi ndërmarrë, gjithëpërfshirja ka qenë shtrati mbi të cilin kemi ndërtuar, të bindur se suksesi jonë nuk matet me shifra, por me aftësinë për të ofruar një shembull kuptimplotë, për të motivuar shoqërinë drejt solidaritetit dhe ndjenjës kolektive të përgjegjësisë për më pak të privilegjuarit ndër ne.

Në këto vite, të mbushura me përvojë të çmuar, kemi arritur të prekim dhe të jetojmë ndryshimin. Kemi dëshmuar sesi përpjekjet e vogla për të bërë mirë, mund të shtrijnë ndikimin e tyre në komunitete të tëra, duke ndryshuar botëkuptimet dhe ofruar një perspektivë të re për shoqërinë në tërësi.

Rruga që kemi përshkuar nuk ka qenë e lehtë, por arritjet e derisotshme na bëjnë shpresëplotë për të ardhmen.